Nga: Ardit Kika, Bora Dibra
39.993 punëtorë në Kosovë paguhen nën pagën minimale. Kjo është shifra zyrtare e validuar nga Administrata Tatimore të Kosovës për muajin shtator 2026.
Prej 1 korrikut në Kosovë janë të ligjshme pagat 500 euro bruto apo më shumë për të punësuarit me orar të plotë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se rreth 150.000 punëtorë do të përfitonin nga rritja, por të shumtë janë punëtorët që nuk e gëzojnë pagën minimale.
Tre muaj pas vendimit për pagën minimale, afërsisht një e katërta e atyre që do të duhej të përfitonin nga kjo politikë nuk e gëzojnë pagën minimale.
Grevë për minimumin
Milaim Sopi, ashtu si rreth 150 punëtorë të kompanive private të mirëmbajtjes e pastrimit të shkollave në Prishtinë, është në grevë meqë nuk ka marrë pagë tash e një muaj. Ai tregon se kompania Schafenberger, ku ai është i punësuar, ka kërkuar mjete shtesë nga Komuna e Prishtinës për ta mbuluar rritjen e pagave minimale. Sopi, udhëheqës sindikal në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thotë se janë të detyruar që të drejtën për pagë ta realizojnë përmes grevave, meqë institucionet e as kompania nuk i kanë bërë zgjidhje për paga.

“Kompania po thotë që s’ka pare. Thotë që s’i ka qitë komuna. Kur shkojmë në komunë, ata thonë s’na i ka qitë Qeveria. E kanë bërë njëfarë treshe, por në fund kujt me i besu? Kush është fajtori?”, thotë Sopi.
Punëtori i mirëmbajtjes në Shkollën Dardania në kryeqytet e kalon ditën në punë me kolegët e tij, duke mbajtur grevë që përfshin moskryerjen e punëve të përditshme. Ai ka marrë pjesë në takime me Komunën e Prishtinës dhe shpreson në zgjidhje gjatë javës së ardhshme.
456.50 €
Punëtorë të shumtë që nuk u është dëgjuar zëri në publik sikurse Milaim Sopit nuk e gëzojnë pagën minimale. 39.993 është shifër që i paraqet punëtorët në bazë të të dhënave të Administratës Tatimore nuk i marrin dy paga (pa paga sekondare).
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në një përgjigje për Sbunkerin, ka thënë se në muajin korrik Inspektorati i Punës ka realizuar 88 inspektime për verifikim të zbatimit të vendimit për pagën minimale, ndërsa në gusht 42 inspektime të këtilla. Ministria e ka konfirmuar se ka qasje te të dhënat e sistemit EDI të ATK-së që ia mundësojnë ta shohë se kush i paguan punëtorët nën pagën minimale.
Në përgjigjen e dhënë në shtator, kur Kosova i kishte zyrtarisht 69.399 punëtorë të paguar nën pagën minimale, Ministria e Punës pati thënë se fokusin gjatë korrikut e gushtit e pati te parandalimi i vdekjes së punëtorëve në ndërtimtari.
“Gjatë këtyre muajve, Inspektorati Qendror i Punës, prioritet sipas nivelit të riskut i ka dhënë sektorit të ndërtimtarisë për arsye të nivelit të riskut që bart mungesa e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në përgjigje.
Ministria e udhëhequr prej Andin Hotit ka treguar po ashtu se Inspektorati Qendror i Punës është në proces të rekrutimit të 39 inspektorëve të rinj.
Shteti s’e zbaton ligjin
Hulumtuesi i politikave sociale Artan Mustafa vlerëson se shifra 39.993 flet shumë, fillimisht për kapacitetin e ulët shtetëror për ta zbatuar ligjin.
“Ka një dallim të madh midis asaj që shkruhet në letër, ligjit, dhe asaj që zbatohet. Kapaciteti i kufizuar i shtetit është njëri aspekt. E dyta, ka të bëjë me një kulturë — kulturë e aktorëve kyçë, joshtetërorë. Me normat tona, kulturën e sjelljes e shohim që ende plot prej këtyre normave janë të negocueshme, që mund të testosh — pra vetëdija e ulët për rëndësinë e barazisë në shoqëri dhe moseksploatimit”, vlerëson Mustafa.
Ai thekson se respektimi i pagës minimale dhe punësimi i grave janë kyçe për ta ulur përqindjen e punëtorëve që jetojnë në familje të varfra (in-work poverty) në Kosovë, që është ndër më të lartat në Evropë.
Në Kosovë ka edhe biznese të cilat i paguajnë pagat e punëtorëve në mënyrë të dyfishtë, pjesërisht në formë të rregullt, përmes bankës, dhe pjesërisht në mënyrë të jashtëligjshme — me para në dorë. Marrëveshjet e tilla dhe moszbatimi i pagës minimale ndodhin brenda një konteksti politik, në të cilin, sipas Artan Mustafës, punëtorët janë shfuqizuar pasi kanë qenë jashtë agjendave të partive politike, të Qeverisë e Kuvendit vazhdimisht.

“Nuk është vetëm mungesa e inspektorëve e funksionimit efektiv të gjykatave, por është edhe trajektorja e vendit tonë. Ne jemi bërë shtet edhe historia jonë politike është dominuar gjithmonë prej nacionalizmit. Ke qenë politikan i suksesshëm, nëse ke qenë nacionalisti më i mirë, historikisht. Në vitet e ’90-ta LDK-ja, pastaj PDK-ja dhe tash Vetëvendosja”, thotë Mustafa. “Kurrë pabarazia, fuqia punëtore, pabarazia nuk kanë qenë kyçe për mobilizim politik, s’janë politizuar”, shton Mustafa.
Në muajin shtator, sipas ATK-së, kishte 413.796 të punësuar, që do të thotë se 9.66 për qind e punëtorëve paguheshin nën minimumin ligjor në këtë periudhë. Shifra e ATK-së nuk i përfshin punëtorët e paformalizuar. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) vlerëson se 30 për qind e ekonomisë së Kosovës është ekonomi joformale.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare që nga e mërkura nuk është përgjigjur në pyetjet shtesë të Sbunkerit lidhur me inspektimet e Inspektoratit Qëndrore të Punës për zbatimin e pagave minimale dhe qëndrimin e ministrisë lidhur me grevën e punëtorëve të kompanive private të mirëmbajtjes dhe pastrimit të shkollave të Komunës së Prishtinës./Sbunker/
